Instituti Maqedonas për Media (IMM) shpall thirrje për themelimin e klubeve (seksioneve) mediatike në shkollat fillore dhe të mesme në vend. Ky aktivitet realizohet në kuadër të aktiviteteve të Projektit të USAID-it për edukimin mediatik "Të rinjtë mendojnë".
Përshkrimi i aktiviteteve
Klubet mediatike duhet të përfshijnë aktivitete edukative dhe praktike që do të zhvillohen në kuadër të aktiviteteve jashtëmësimore. Kështu, nxënësit do të mësojnë se si të krijojnë përmbajtje mediatike të besueshme, objektive dhe të verifikuara duke përdorur formate të ndryshme, përfshirë tekstin, videon, podkastet, blogjet dhe foto-gazetarinë. Nxënësit, në koordinim me mësimdhënësin, do të kenë mundësi të propozojnë dhe përpunojnë tema që kanë të bëjnë me procesin arsimor dhe aktivitetet shkollore, por edhe me tema kulturore, argëtuese, sportive apo tema të tjera që janë me interes për të rinjtë. Klubet mediatike duhet të takohen një herë në javë duke filluar nga muaji tetor 2024 deri në fund të muajit maj 2025. Me to do të udhëheqë një mësimdhënës nga kolektivi i shkollës, i cili do të organizojë punën e klubit. Mësimdhënësit do të pajisen me Doracak për punën e klubeve mediatike shkollore, me udhëzime dhe ushtrime praktike të cilat do të mund t'i realizojnë në kuadër të klubeve mediatike.
Programi do të përfshijë temat e mëposhtme:
- Gazetaria si profesion – çfarë do të thotë të jesh gazetar (roli i gazetarisë, standardet gazetareske, politika editoriale)
- Zhanret gazetareske (lajme, raportime, intervista)
- Edukimi mediatik (koncepti, elementet, aftësitë)
- Dezinformimi dhe verifikimi i informacioneve
- Mediat e reja
- Krijimi i përmbajtjes mediatike për platforma të ndryshme mediatike.
Në fund të vitit shkollor, do të shpallet konkurs për produktin më të mirë mediatik të përgatitur nga klubet mediatike nga shkollat fillore dhe të mesme.
Kushtet për aplikim
Në thirrjen mund të aplikojnë shkolla të mesme dhe fillore që nuk kanë marrë mbështetje përmes projektit "Të Rinjtë Mendojnë" gjatë vitit të kaluar shkollor. Aplikimi duhet të dorëzohet nga mësimdhënësi që do të drejtojë klubin mediatik, së bashku me miratimin nga shkolla (nënshkrim dhe vulë nga drejtuesi i shkollës). Aplikacioni duhet të përmbajë:
- Informacion për shkollën dhe mësimdhënësin;
- Një letër motivimi që shpjegon pse doni të themeloni klub mediatik në shkollën tuaj;
- Informacion mbi përvojën përkatëse të mësimdhënësit në lidhje me fushat e medias, gazetarisë, edukimit mediatik ose fusha të tjera të ngjashme.
Afati i fundit për aplikim është deri më 20.09.2024 (e premte) deri më 23:59.
Të gjitha shkollat e interesuara mund të aplikojnë në adresën e postës elektronike: konkursi@mim.org.mk me emërtimin: Aplikim për themelimin e klubit mediatik – Emri i shkollës.
Në thirrje do të përzgjedhen pesëmbëdhjetë shkolla të mesme dhe pesëmbëdhjetë shkolla fillore që do të marrin mbështetje për themelimin e klubeve mediatike. Shkollat e përzgjedhura në thirrje do të njoftohen më së voni deri më 30 shtator (e hënë) 2024. Për funksionimin e suksesshëm të klubeve mediatike, IMM do të organizojë trajnime për mësimdhënësit-koordinatorë që do të udhëheqin me klubet mediatike.
Për çdo informacion shtesë dhe pyetje, mund të kontaktoni Deniz Memedi, Udhëheqës i Programit në IMM, në adresën e mëposhtme të postës elektronike: dmemedi@mim.org.mk.