Instituti Maqedonas për Media shpall konkursin e çmimeve për gazetari “Nikolla Mlladenov 2024”. Do të ndahen çmime në këto kategori:
- Storja më e mirë hulumtuese – çmimi i parë, i dytë dhe i tretë
- Produkti më inovativ gazetaresk (një çmim)
- Fotoreportazhi më i mirë (një çmim)
Në konkurs mund të aplikojnë të gjithë gazetarët dhe fotoreporterët që punojnë profesionalisht në media ose bashkëpunojnë si “freelancer” me to.
Materialet e paraqitura duhet të jenë publikuar gjatë vitit 2024 në gazeta, në radio, në televizion, në portale informative onlajn ose nga agjenci lajmesh të regjistruara dhe që veprojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Një autor ose grup autorësh mund të aplikojnë me jo më shumë se 3 tema të ndryshme në dy
kategoritë e para, dhe secila temë mund të përfshijë më shumë tekste/kronika të lidhura.
Çdo fotoreporter mund të marrë pjesë me jo më shumë se 3 fotografi, të cilat janë publikuar në gazeta, në portalet onlajn ose nga agjenci lajmesh. Në konkurs pranohen edhe fotografitë e publikuara në media të huaja, por ato duhet të lidhen me tema dhe ngjarje me rëndësi gazetareske që kanë shënuar vitin paraprak (2024) në Maqedoninë e Veriut.
Si zakonisht, materialet e paraqitura do të shqyrtohen nga një komision i përbërë nga përfaqësues relevantë të sferës mediatike dhe publike.
Kriteret e përzgjedhjes
A. Çmimi për storjen më të mirë hulumtuese i mbështet dhe i promovon storjet që:
- janë përgatitur sipas standardeve profesionale dhe etike të punës gazetareske;
- zbulojnë tema që janë të rëndësishme për publikun e gjerë dhe kanë të bëjnë me krimin e organizuar, korrupsionin, keqpërdorimin e pushtetit dhe shkeljen e të drejtave të njeriut;
- demonstrojnë një hulumtim të thelluar gazetaresk, të mbështetur me fakte, prova dhe deklarata nga burime dhe bashkëbisedues të ndryshëm relevantë;
- e paraqesin temën në mënyrë të kuptueshme, përmes stilit origjinal gazetaresk;
- synojnë të nxisin zgjidhjen institucionale të veprimeve të paligjshme dhe keqpërdorimeve të bëra nga individë ose institucione.
B. Çmimi për produktin më inovativ gazetaresk nxit dhe promovon format e reja të shprehjes gazetareske, ku në mënyrë krijuese dhe inovative përdoren teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, me qëllim që tregimet të arrijnë te qytetarët, t’i edukojnë dhe t’i nxisin të angazhohen për zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme të interesit publik. Veçanërisht inkurajohen prodhimet gazetareske që:
- janë përgatitur sipas standardeve profesionale dhe etike të punës gazetareske;
- përfshijnë me sukses formate multimediale dhe mënyra krijuese të rrëfimit/shprehjes (p.sh., raportim me përdorimin e telefonit celular, përfshirje të formateve audio dhe video në tekst etj.);
- përdorin mënyra të reja për të arritur te publiku ose segmente të ndryshme të tij (grupe të ndryshme moshore, grupe të margjinalizuara etj.);
- përdorin mënyra/aplikacione të reja për ndërveprim dhe përfshirje të publikut në përgatitjen e tregimeve.
C. Çmimi për fotoreportazhin më të mirë vlerëson dhe promovon fotoreporterët profesionistë që:
- kanë paraqitur fotografi që lidhen me tema dhe ngjarje me rëndësi gazetareske që kanë shënuar vitin paraprak (2024);
- kanë publikuar fotografi në media që janë të regjistruara dhe veprojnë në vendin tonë ose në media të huaja;
- demonstrojnë kreativitet të jashtëzakonshëm dhe shprehje estetike;
- Nuk kanë përdorur teknika të manipulimit vizual përveç rregullimeve bazike si prerja (crop), ndriçimi, ngjyrat dhe kontrasti (mjetet bazike në Photoshop dhe LightRoom);
- fotografitë duhet të jenë në format digjital .jpg, me rezolucion 300 dpi;
- rezolucioni minimal i fotografisë të mos jetë më pak se 2 000 piksel në anën më të gjatë;
- përmbajnë informacion për meta të dhënat;
- fotografia duhet të jetë vepër autoriale e kandidatit të paraqitur, një autor mund të dërgojë deri në 3 fotografi.
Fituesve të çmimeve do t’u jepet certifikatë dhe shpërblim financiar prej 60 000 denarë për vendet e para në të tre kategoritë, si dhe, 40 000 denarë për vendin e dytë dhe 20 000 denarë për vendin e tretë në kategorinë për storje hulumtuese.
Konkursi është i hapur deri më 17 shkurt 2025.
Aplikimet duhet të dërgohen në: novinarskinagradi@mim.org.mk me shënimin: Aplikim për çmimet e gazetarisë “Nikolla Mlladenov 2024”.
Aplikimi përbëhet nga:
- Formulari i plotësuar për kategorinë përkatëse (i disponueshëm në shtojcë);
- Fotografia (nëse aplikohet për çmimin e Fotoreportazhit më të mirë).
Për informacione dhe pyetje shtesë, na kontaktoni në: 3090 144 ose në e-mail: novinarskinagradi@mim.org.mk