Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Instituti Maqedonas për Media (IMM) dhe Këshilli për Etikë në Media i Maqedonisë (KEMM) promovuan sot në Europe House në Shkup Kodin e ri të Gazetarëve të Maqedonisë, si një hap i rëndësishëm drejt avancimit të standardeve profesionale dhe etike në gazetari dhe forcimit të besimit të publikut në media.
Kodi i ri është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës dhe shumëfazësh, i realizuar në kuadër të projektit “Forcimi i standardeve etike për besim më të madh në media”, i mbështetur nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas. Në këtë proces morën pjesë gazetarë, redaktorë, punonjës të mediave, organizata mediatike dhe mekanizma të vetërregullimit, me qëllim që Kodi t’u përgjigjet sfidave reale me të cilat përballet sot gazetaria.

Kryetari i SHGM-së, Mladen Çadikovski, theksoi se Kodi i ri përfaqëson një marrëveshje të re mes gazetarëve dhe publikut.
“Sot promovojmë një marrëveshje të re mes gazetarëve dhe publikut. Vlerat themelore të gazetarisë nuk ndryshojnë. E vërteta, verifikimi i fakteve, pavarësia, interesi publik dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve mbeten themeli i këtij profesioni. Por duhet të modernizojmë mënyrën se si i zbatojmë këto parime”, tha Çadikovski.
Ai shtoi se Kodi nuk është hartuar vetëm për të ndjekur ndryshimet teknologjike, por edhe për të mos lejuar që ato të mbizotërojnë mbi parimet etike të gazetarisë. “Teknologjia mund të jetë një mjet, por kurrë nuk duhet të zëvendësojë gjykimin profesional, vendimin etik dhe përgjegjësinë gazetareske”, theksoi ai.

Drejtoresha e IMM-së, Biljana Petkovska, falënderoi anëtarët e grupit të punës, iniciativën e mëparshme që nisi procesin në bashkëpunim me IREX dhe USAID, si dhe të gjithë kolegët që kontribuan në përmirësimin e tekstit përmes procesit konsultativ.
“Tani vjen pjesa më e vështirë, zbatimi i standardeve etike nga vetë gazetarët. Për këtë nevojitet angazhim i përbashkët, si nga gazetarët, ashtu edhe nga qytetarët, përmes njohjes dhe përdorimit të mekanizmave të vetërregullimit mediatik”, tha Petkovska.

Drejtori i MCMS-së, Aleksandar Kërzhalovski, e vlerësoi procesin si një shembull të rëndësishëm të vetërregullimit dhe pjekurisë së sektorit civil dhe atij mediatik. Ai theksoi se Civica Mobilitas, e cila prej 12 vitesh zbatohet nga MCMS me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, ka mbështetur mbi 500 iniciativa, ndërsa aktiviteti i SHGM-së dhe IMM-së është ndër më të rëndësishmit, sepse dëshmon se sektori mund të ndërtojë vetë standarde, të forcojë besimin dhe të rrisë përgjegjësinë ndaj publikut.

Kryetarja e Bordit Drejtues të KEMM-it, Leunora Kaliqi, tha se Këshilli për Etikë në Media ishte i kënaqur që ishte pjesë e këtij procesi. Ajo theksoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes, kontributin e të gjithë atyre që morën pjesë vullnetarisht dhe nevojën për standarde të forta etike në kohën e sfidave digjitale, dezinformatave dhe inteligjencës artificiale. Sipas saj, Kodi mbron interesin publik dhe besueshmërinë e komunitetit gazetaresk.

Gazetarja Mira Kostiq, anëtare e grupit të punës, kujtoi se që në vitin 2001 ishte identifikuar nevoja për një Kod që nuk do të shërbente vetëm për mbrojtjen e gazetarëve nga sjelljet joetike, por mbi të gjitha për mbrojtjen e qytetarëve përmes praktikimit të gazetarisë cilësore dhe të përgjegjshme. Ajo theksoi se, 25 vjet më vonë, Kodi i ri duhet t’u shërbejë si gazetarëve të sotëm, ashtu edhe brezave të ardhshëm.

Gazetari Vasko Magleshov, gjithashtu pjesë e ekipit që punoi për Kodin gjatë dy viteve të fundit, prezantoi risitë kryesore të dokumentit. Ai theksoi se Kodi ruan identitetin e versionit të mëparshëm, por saktëson standardet në disa fusha të rëndësishme. Ndër to janë përdorimi i inteligjencës artificiale, verifikimi i informacionit nga burime të pavarura, dallimi i qartë mes interesit publik dhe interesit të publikut, transparenca në korrigjimet dhe ndryshimet e përmbajtjeve digjitale, konflikti i interesit, titujt që duhet të përputhen me përmbajtjen, mbrojtja e kategorive të cenueshme, raportimi i kujdesshëm për vetëvrasjet dhe tentativat për vetëvrasje, si dhe rregullat për përdorimin e informacionit të siguruar përmes incizimeve të fshehta kur ekziston interes publik.

Me Kodin e ri, komuniteti gazetaresk fiton një kornizë moderne etike që i përgjigjet epokës digjitale, duke ruajtur njëkohësisht parimet themelore të profesionit: saktësinë, verifikimin e fakteve, pavarësinë, përgjegjësinë, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe punën në interes të publikut.

Kodi është i disponueshëm në 8 versione gjuhësore në këtë link.