Instituti Maqedonas për Media (IMM), për herë të 25-të jubilare, shpall Konkursin për storien më të mirë hulumtuese të vitit.
Në konkursin për çmimin për gazetari „Nikolla Mlladenov 2025“ mund të paraqiten të gjithë gazetarët që punojnë profesionalisht në media ose bashkëpunojnë me mediat si frilancerë.
Storiet e paraqitura duhet të jenë të publikuara gjatë vitit 2025 në gazeta, në radio, në televizion, në portale informative në internet ose nga agjenci lajmesh që janë të regjistruara dhe veprojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Një autor ose një grup autorësh mund të paraqiten me më së shumti 3 tema të ndryshme, ndërsa secila temë mund të përfshijë disa tekste/kronika të ndërlidhura.
Në konkurs do të ndahen: çmimi i parë, i dytë dhe i tretë për Storien më të Mirë Hulumtuese.
Si zakonisht, materialet e paraqitura do të shqyrtohen nga një komision i përbërë nga përfaqësues relevantë të sferës mediatike dhe publike.
Çmimet për storien më të mirë hulumtuese mbështesin dhe promovojnë storiet që:
- përgatiten sipas standardeve profesionale dhe etike në punën gazetareske;
- zbulojnë tema që janë të rëndësishme për publikun e gjerë dhe kanë të bëjnë me krimin e organizuar, korrupsionin, keqpërdorimin e pushtetit dhe shkeljen e të drejtave të njeriut;
- demonstrojnë një hulumtim të thelluar gazetaresk, të mbështetur me fakte, prova dhe deklarata nga burime dhe bashkëbisedues të ndryshëm relevantë;
- e paraqesin temën në mënyrë të kuptueshme, përmes stilit origjinal gazetaresk;
- synojnë të nxisin zgjidhjen institucionale të veprimeve të paligjshme dhe keqpërdorimeve të bëra nga individë ose institucione;
- përfshijnë me sukses formate multimediale dhe/ose mënyra kreative të rrëfimit/shprehjes;
- përdorin mënyra të reja për të arritur te publiku ose te segmente të ndryshme të publikut (grupe të ndryshme moshe, grupe të margjinalizuara etj.).
Fituesve të çmimeve do t’u dorëzohet certifikatë dhe shpërblim monetar prej 60.000 denarë për storien hulumtuese të vlerësuar me çmimin e parë, 40.000 denarë për storien e vlerësuar me çmimin e dytë dhe 30.000 denarë për storien e vlerësuar me çmimin e tretë.
Konkursi është i hapur deri më 17 shkurt 2026.
Aplikimet duhet të dërgohen në: novinarskinagradi@mim.org.mk me shënimin: Aplikim për çmimet e gazetarisë “Nikolla Mlladenov 2025”.
Për informacione dhe pyetje të mëtejshme, Ju lutemi na kontaktoni në: 3090 144 ose përmes emailit: novinarskinagradi@mim.org.mk