Gazeta KOHA, në bashkëveprim me platformën online, pati rastin të testohet në këtë krizë shëndetësore, duke ofruar para publikut një produkt mjaft profesional, që ishte i domosdoshëm për të gjithë ata që, krahas medikamenteve, kishin nevojë edhe për lajme të imunizuar nga virusi i dezinformatës dhe manipulimit. Përmes informacioneve të shpejta, të sakta dhe të thelluara, reportazheve dhe rubrikave të tjera informative, portali i gazetës KOHA ishte kthyer në burimin kryesor dhe me prestigjioz të informimit të të gjithëve në Maqedoni.

Pandemia globale që përfshiu edhe Maqedoninë e Veriut, goditi gati të gjitha fushat e jetës dhe bizneset. Kjo krizë shëndetësore nuk la pa prekur edhe mediat, sidomos funksionimin dhe procesin e çdoditshëm të tyre. Si të gjithë sektorët që ju desh të adaptojnë mënyrën e re të punës, edhe gazeta KOHA ndërmori disa masa, që ishin, parasëgjithash në funksion të ruajtjes së shëndetit të të punësuarve, por edhe në frymën e masave të përgjithshme qeveritare, ku gjithsesi nuk pati shmangie nga prioriteti bazik – informimi i përditshëm i qytetarëve. Për fatin tonë të mirë, asnjëri nga kolegët tanë dhe familjarë të tyre nuk u prekën nga virusi vdekjeprurës, kurse kjo ndikoi që etika profesionale dhe morali në punë të mbizotërojë në të gjitha fazat e punës.

Komunikimi me publikun ndoqi parimet më të avancuara profesionale edhe për faktin se kishim të bënim me dimensionet e panjohura të një pandemie globale, e cila nuk do të mund të fitohej nëse nuk do të kishim vendosur që në start disa parametra të informimit objektiv e të paanshëm.

Ekipet tona të gazetarëve dhe redaktorëve, si në gazetë ashtu edhe në portal, i zhvendosën vetëm fizikisht vendet e tyre të punës, por jo edhe obligimet dhe synimet profesionale. Gazeta, ndonëse me faqe të reduktuara, mbajti kontinuitetin e botimit, ndërkohë që edicioni online i portalit tonë, ishte aktiv dhe tepër i azhurnuar në kohë reale, duke ndjekur dhe mbuluar të gjitha zhvillimet në vend dhe në botë, kryesisht i fokusuar në temën aktuale të pandemisë së virusit korona.

Raportimin mbi virusin korona e kuptuam si një një detyrë mjaft serioze, pasi përpara kishim dy përgjegjësi: të raportojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, si dhe të mos shqetësojmë lexuesin.

Meqë gazetaria është profesion që i shërbim të publikut, informimit të drejtë dhe ndërtimit profesional mediat, gazetarët e gazetës KOHA dhe portalit të gazetës u çliruan nga emocionet me qëllim grumbullimin e të dhënave të mbështetura në të vërtetën dhe informimin objektiv.

Rrjeti i gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve tanë të shpërndarë në terren, arritën të jenë përçues besnik të informacionit burimor, duke reduktuar në maksimum çfarëdo lloj dezinformimi sa i përket përhapjes së virusit korona në mesin e popullatës. Përvoja e keqe e përhapjes së teorive të ndryshme të konspiracionit, që ishte pjesë e një gazetarie sensacionale, u trajtua me seriozitet nga gazetarët dhe redaktorët tanë, duke treguar një distancë të theksuar profesionale ndaj çdo lloj informacioni që nuk ishte i bazuar në burime relevante shkencore. Pikërisht kjo ishte edhe një betejë tjetër profesionale që Gazeta KOHA e fitoi me sukses, e që kishte të bënte me pamundësimin e depërtimit të lajmeve të rrejshme në botimet tona. Ky problem global me të cilën u ballafaquan të gjitha mediat, madje edhe ato më seriozet, nuk arriti të bashkëjetojë në punën tonë të përditshme profesionale, edhe për faktin se Gazeta KOHA në disa hulumtime kredibile që janë bërë viteve të fundit, ka dalur të jetë media me besueshmëri më të lartë tek publiku.

Krizat shëndetësore, si kjo që po e kalojmë tani, nuk mund të sfidohen me sukses nëse nuk mbisundon vetëdija qytetare për pasojat dhe rreziqet që paraqesin ato. Në këtë drejtim, Gazeta KOHA ishte zëdhënëse e apeleve të arsyeshme të institucioneve dhe të segmenteve të ndryshme të shoqërisë civile për një kujdes të shtuar të qytetarëve, duke ushtruar tek ata presionin e domosdoshëm publik. Në këtë aspekt, ne si medie iu mundësuam qasje të drejtpërdrejt të gjithë faktorëve institucional në shpërndarjen e informacionit të nevojshëm për nevojat e publikut, ku gjithsesi Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndeti Publik, përmes drejtuesve të tyre, ishin bartësit kryesor të këtij lloj informimi.

Kryeredaktori i gazetës “Koha” Vedat Memedaliu

 

Напишете коментар