Kritere për zgjedhjen e stories më të mirë hulumtuese

Се чита за 3 мин.

Storia e mirë hulumtuese nënkupton:
1. Përpunimin e temës që është e rëndësishme për publikun më të gjerë dhe e cila zbulon diçka të re;
2. Hulumtimin me themel nga ana e gazetarit;
3. Përgjigjen në pyetjet themelore të gazetarisë: ‘kush’, ‘çka’, ‘kur’, ‘ku’, ‘si’ dhe ‘pse’?
4. Përdorimin e dëshmive dhe të fakteve nga më shumë burime.

Gazetaria hulumtuese mbron proceset demokratike dhe interesin publik
Storiet hulumtuese bëjnë të ditur diçka që disa individë, institucione ose qendra të tjera të vendosjes kanë dashur ta fshehin nga opinioni publik, ose zbulojnë, ndërkaq, korrupsion, veprim joadekuat, keqpërdorim të pushtetit e kështu me radhë. Zbulimet duhet të iniciojnë zgjidhje institucionale të veprimeve të paligjshme dhe të keqpërdorimeve. Kjo është në interes jo vetëm të gazetarit dhe të redaksisë, por dhe, para së gjithash, të qytetarëve.

Gazetarët hulumtues gjithnjë e shohin veten si rojtarë të interesit publik.  Përmes zbulimit të keqpërdorimeve dhe të punës së parregullt, ata kanë për qëllim nxitjen e sjelljeve më të përgjegjshme të institucioneve (publike dhe private), si dhe të individëve, që janë pjesë e tyre.

Tregimet hulumtuese në të shumtën e rasteve zbulojnë shkeljen e rregullave dhe të rregullativave ligjore
Gazetarët bëjnë krahasimin se si punojnë organizatat, me mënyrën se si është dashur të punojnë ato.  Storiet hulumtuese të suksesshme i zbulojnë jo vetëm lëshimet dhe keqpërdorimet individuale, por edhe jokonsekuencat sistemore. Këto hulumtime më shpesh tregojnë se sjellja e paligjshme e individëve të caktuar është pjesë e skemës më të madhe të keqpërdorimit të sistemit.

Gazetaria hulumtuese mund të fokusohet në:
- zbulimin e skandaleve ose shkeljen e rregullativës ligjore dhe të standardeve morale-etike nga ana e individëve ose e institucioneve;
- hulumtimin e politikës ose të punës së institucioneve qeveritare, të kompanive ose të organizatave të tjera;
- hulumtimin e trendeve sociale, ekonomike, politike dhe kulturore.

Te gazetaria hulumtuese:
- informata nuk mund të publikohet gjithnjë deri sa gazetari nuk bindet që ajo është komplete dhe koherente;
- hulumtimi zgjat deri sa nuk konfirmohet tregimi, por ndonjëherë vazhdon edhe pas publikimit të tij;
- storia ka referencë informacionet maksimalisht të disponueshme dhe mund të jetë relativisht e gjatë;
- tregimi kërkon konsultim të qëmtuar të dokumentacionit, përmes të cilit do të dëshmohen ose do të refuzohen deklaratat e burimeve;
- pa angazhimin personal të gazetarit tregimi kurrë nuk mund të jetë i kompletuar;
- struktura dramatike e tregimit është me rëndësi thelbësore për ndikimin e tij në shoqëri;
- tregimi duhet të shikohet nga të gjitha këndet e mundshme;
- gabimet eventuale në zbulimet e gazetarit, jo vetëm që mund të çojnë në sanksione formale dhe joformale, por ato negativisht mund të ndikojnë ndaj kredibilitetit të vetë gazetarit, si dhe të medias.

Raportimi gazetaresk me bazë në një burim nuk mund të konsiderohet si hulumtues
Gazetaria hulumtuese përfshin shfrytëzimin e më shumë burimeve, njerëzore, por edhe dokumentare. Ato bashkë krijojnë pamjen e qartë për keqpërdorime të caktuara, ose për punë të parregullta, nga ana e institucioneve ose individëve të caktuar.

Raportimi që bazohet vetëm në përshkimin e informacioneve të besueshme nga institucione të caktuara („Leak journalism“) nuk është hulumtues
Përshkimi (rrjedhja) i informacioneve të besueshme mund të jetë bazë e mirë për gazetarinë hulumtuese. Por, me këtë rast, gazetari duhet që thellë t’i hulumtojë dhe t’i konfirmojë ato informacione dhe t’u japë kuptim. Në të kundërt, raportimi i tillë mund të jetë i shtrembëruar dhe jo i plotë.

Gazetaria hulumtuese kundrejt raportimit ditor
Raportimi për ngjarje ditore zakonisht nuk ka komponentë hulumtuese, për shkak se bazohet në informata që dalin nga institucionet zyrtare, ose, ndërkaq, si reagim i komunikatave zyrtare. Raportimi ditor kryesisht ka të bëjë me ngjarje për të cilat dëshmojnë vetë gazetarët, ose dëshmitarët e intervistuar, ndërsa gazetarët rrallë i hyjnë hulumtimit më të detajuar të asaj çka është thënë dhe të asaj çka është parë. Tekstet më shpesh bazohen në një burim, ose në burime anonime, ndërkaq, dhe nuk ka përgjigje në pyetjet ‘pse’ dhe ‘si’, por vetëm në ‘kush’, ‘çka’, ‘ku’ dhe ‘kur’. Gazetaria hulumtuese nuk nënkupton vetëm raportim për atë çka komunikojnë të tjerët (institucionet qeveritare, partitë politike, kompanitë e kështu me radhë). Ajo kërkon angazhim më të themeltë dhe thelbësor të gazetarit, i cili me iniciativën e vet shkon më larg prej asaj çka është thënë dhe çka është parë, me qëllim që të zbulojë më shumë fakte dhe të zbulojë diçka të re, më parë të panjohur për opinionin publik. Tregimi hulumtues ka për qëllim të iniciojë ndonjë aksion të caktuar, të shkaktojë ndryshime, të nxjerrë në dritë diçka që është bërë në mënyrë joadekuate, për të cilën gjë opinioni publik nuk ka qenë i njohur.