Kanceri më shumë vret në Sveti Nikollë

Kanceri i gjirit është shtuar me 50% në Sveti Nikollë për vetëm 2 vjet. Në vitin 2016 janë regjistruar 20 raste të kancerit në gji në Ovçepojë. Banorët e Sveti Nikollës dyshojnë në korrektësinë e ujit të pijshëm nga sistemi i mëparshëm Mavrovica. Askush nuk i hulumton shkaqet e kësaj sëmundjeje.

Autor: Goran Lefkov

Sveti Nikolla është një prej rekorderëve sipas numrit të rasteve të regjistruara të kancerit në gji. Vitin e kaluar, madje, 40% nga të gjitha rastet e kancerit në gji në rajonin e Vardarit janë regjistruar në Ovçepojë. Sipas të dhënave që i morëm nga Qendra e Shëndetit Publik në Veles, duke e shfrytëzuar ligjin për qasje të lirë tek informatat me karakter publik, qyteza e vogël e Ovçepojës vitin e kaluar ka pasur 20 raste të kancerit në gji. Numër të njëjtë të grave të sëmura ka edhe në Kavadar, edhe pse ai dyfish është më i madh se Sveti Nikolla. Në qendrat tjera të këtij rajoni - Veles, Negotinë dhe Gjevgjeli - gjithsej ka vetëm 10 raste të reja të regjistruara.

Askush s’e di se cilët janë shkaktarët për shkallët kaq të larta të kancerit në gji në Sveti Nikollë. Hamendësohen dukuri të ndryshme, mirëpo asnjëra nuk është hulumtuar. Biseduam me më shumë mjekë që e përcjellin këtë gjendje.

Onkologu Millan Risteski, drejtor i mëparshëm i Klinikës së Onkologjisë, thotë që në vit nga kjo sëmundje në territorin e Maqedonisë sëmuren rreth 1.200 gra.

Kanceri në gji është i përfshirë me rreth 50% nga të gjitha pacientet e reja të regjistruara të sëmura nga kanceri“, thotë Risteski.

Mesatarja në nivel të Maqedonisë thotë se në çdo 10.000 banorë, nga kanceri në gji sëmuren 5,7 gra. Në Sveti Nikollë në 10.000 banorë sëmuren nga 11 gra, që është dyfishi i mesatares shtetërore.

Gjendjet e këtilla alarmante i mobilizojnë gratë e këtij qyteti dhe fillojnë të veprojnë përmes Organizatës së Grave nga Sveti Nikolla, organizatë joqeveritare kjo e cila financiarisht është e mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim përmes programit Civica Mobilitas, e cila që para 20 viteve i ka bërë hapat e parë për t’i ndihmuar këto gra.

Uji-për disa jetë, për disa vdekje

Shkaqet e shkallës së lartë të kancerit në gji nuk i di askush.

Dr. Pançe Josev ka pasur disa mundësi provizore që t’i hulumtojë shkaqet e shkallës së lartë të kancerit në Ovçepojë.

Kur fillova me punë si doktor i ri në Shtëpinë e Shëndetit në Sveti Nikollë, më dërguan në një kongres ndërkombëtar në Ohër. Aty u paraqitën të dhëna që Sveti Nikolla udhëheq me sëmundjet kanceromatoze në Maqedoni. Isha i shqetësuar dhe kërkova diskutim, për të përcaktuar se cili është shkaktari i kësaj gjendjeje. Kur u ktheva, nga drejtori i atëhershëm u lash i lirë nga obligimet e punës, me detyrë që t’i hulumtoj shkaqet që mund të jenë si faktor që i shkakton këto sëmundje“, kujton dr. Josev.

E fillon hulumtimin me minierën e azbestit në Bogosllovec, por nuk gjen asnjë fakt që do ta çojë drejt hulumtimit të minierës si shkaktar i mundshëm i kancerit në komunë.

Drejtori i atëhershëm ma dha listën e të gjithë të punësuarve, edhe të personave që më parë kanë punuar në minierë, dhe të gjithë ishin gjallë e shëndoshë, përveç një ish-minatori, por i cili kishte ndërruar jetë në pleqëri të thellë. Aty të punësuarit, kur do të mbaronin punën dhe kur do të duhej që t’i ndërronin teshat, nuk mund t’i njihja. Të gjithë ishin të mbuluar nga grimca të imëta të azbestit, si bryma në dimër. Kur do të shkundeshin, prej tyre binin 5-10 kilogramë azbest, mirëpo asnjëri prej tyre nuk u sëmur nga kanceri. Kjo më bëri që mos të mendoj aq se azbesti është shkaktar i sëmundjeve malinje, para së gjithash kancerit në gji“, thotë Josev.

Destinacion të radhës ka pasur antenën në Gjurishtë (malin 15 kilometra larg Sveti Nikollës, që shfrytëzohet për prognozën e motit dhe që mbulon territorin e gjysmës së Ballkanit).

Asnjë prej të punësuarve në atë stacion nuk ishte i sëmurë. Po të kishte qenë rrezatimi aq i dëmshëm, edhe ndonjë prej të punësuarve të tyre do të ishte sëmurë. Ato rreze lëshohen 200 deri në 300 metra mbi Sveti Nikollë, kështu që shkaktarin për radarin në Sveti Nikollë e eliminova atëherë“, kujtohet Josev.

Në fund i mbeti që ta analizojë ujin.

Konsumi i kalium permaganatit ishte për 8 herë i rritur. Ky ishte indikator që tregon se në ujë ka prani të madhe të materive organike. Gjithashtu, kishte edhe vlera të larta të manganit. Në një moment uji u dërgua në një laborator në Bruksel. Atje detektohet prania e përqindjeve të larta të materive organike. Në procesin e prodhimit të ujit sekondar, në fund të procesit të klorimit ndodh gjëja e tmerrshme-klori dhe materiet organike bëjnë një bashkëdyzim tre-halo-metan. Ky është një bashkëdyzim kanceromatoz i lartë. Tashmë kishim disa indikacione të para që do të mund të shkaktonin kancer. Supozohet që Sveti Nikolla po e paguan tagrin e atij tre-halo-metani“, thotë Josev.

Ai thotë që përgjegjësinë e kanë më shumë faktorë në Sveti Nikollë.

Nuk e di se përse drejtori i atëhershëm i Ndërmarrjes Komunale në Sveti Nikollë elaboronte se ne kemi ujë më të mirë se Rashçja, kur ai ishte i keq. Poshtë çdo analize nga Qendra e Shëndetit Publik nga Velesi shkruante ‘uji nuk është për përdorim’, ‘udhëheqësi urgjentisht të marrë masa’ - i citoj fjalët e raportit. Fjalët më janë gdhendur në kokë. Poshtë çdo raporti me ngjyrë të kuqe ishte shkruar kjo“, konsideron Josev.

E konsultuam Trajçe Stafillovin nga Instituti i Kimisë, mirëpo ai nuk mundi të na japë informata më të detajuara se sa është kancerogjen tre-halo-metani për shëndetin e njerëzve.

Edhe për dr. Risteskin bashkëdyzimi mund të jetë kancerogjen, por duhen bërë hulumtime të detajuara të më shumë faktorëve që mund të ishin shkaktar për shkallët e këtilla të kancerit në gji. Njohuritë e këtilla, sipas tij, nuk janë të mjaftueshme për t’u përcaktuar shkaktarët.

Organizata e Grave nga Sveti Nikolla e fillon betejën me kancerin në gji

Duke mos mundur që të rrinë duarkryq dhe të shikojnë se si i kosit banorët e Sveti Nikollës kanceri, femrat në krye me kryetaren e mëparshme Vera Zllateva, e cila ndërkohë po ashtu ka ndërruar jetë nga kanceri në gji, fillojnë me format e para të ndihmës për gratë.

Që nga vetë fillimi, punës së Organizatës së Grave i bashkohet prim. dr. Gordana Miteva, nga grupi vetëndihmues në kuadër të Organizatës së Grave në Sveti Nikollë.

Morëm të dhënën që Sveti Nikolla është në vendin e parë me vdekshmëri nga kanceri në gji në Maqedoni. Në atë moment filluam aktivitetet në dy drejtime-t’i informojmë gratë se si t’i bëjnë preventivë sëmundjes, dhe filluam të organizojmë punëtori për kancerin në gji. Filluam edhe me grupet vetëndihmuese, për gratë që tashmë janë prekur nga sëmundja“ , thotë Miteva.

Këto grupe funksionojnë që nga viti 2001. Në to ka edukatorë, si dhe psikolog e doktor.

Por, lufta vazhdon edhe më tej. Sipas kryetares së tanishme të Organizatës së Grave, Daniella Paneva, ato fillojnë të organizohen edhe me aktivitete të tjera.

Organizata jonë i mbron të drejtat e grave dhe si mundemi u ndihmojmë grave. Nëse kemi kushte, financiarisht u ndihmojmë. Arritëm të bëjmë lobim për ndryshimin e Ligjit për mbrojtje shëndetësore, ku u përfshinë shikimet gjinekologjike falas. Arritëm të fusim edhe shikimet mamografike falas për gratë, me qëllim që të veprojmë në zbulimin e hershëm të kancerit në gji dhe të veprojmë në mënyrë preventive. Në vitin 2004 arritëm të bëjmë lobim për futjen e pap-testeve. Ne e filluam iniciativën me 15 organizata të tjera të grave për ndryshimin e Ligjit për mbrojtje shëndetësore, me të cilin do të futen pap-testet dhe shikimet mamografike falas“, thotë Paneva.

Ajo thotë se kanë mirëkuptim të madh edhe nga Komuna e Sveti Nikollës, po pati nevojë për diçka.

Aktivitetin e frytshëm të Organizatës së Grave, në pjesën e luftës kundër kancerit, e thekson edhe Jasmina Trajçeva, projekt-koordinatore e grantit institucional të Civica Mobilitas-it në kuadër të Organizatës së Grave në Sveti Nikollë.

Gratë me sëmundje malinje i kemi grupe të synuara në programin shëndetësor të Organizatës së Grave. Fokusi është tek sëmundjet malinje, me atë që kemi grup grash të sëmura dhe të shëruara nga sëmundjet malinje“, konsideron Trajçeva.

Ajo shton që Organizata e Grave nga Sveti Nikolla, bashkë me 15 organizata të tjera joqeveritare të grave në nivel nacional, bëri lobim për futjen e amendamentit për shikime gjinekologjike dhe skrining-program falas për çdo grua një herë në vit.

Më vonë, pas iniciativës së kësaj organizate, në Maqedoni sillet edhe mamografi i parë, kujtohet Imer Selmani, ministër i mëparshëm i Shëndetësisë.

Organizata e Grave nga Sveti Nikolla është një organizatë mjaft aktive, e cila ka luftuar dhe lufton për ngritjen e vetëdijes, para së gjithash te gratë, për rrezikun e karcinomit në gji. Ajo është njëra ndër organizatat e para me të cilat unë si ministër kam pasur kontakt, i kam pranuar, pastaj edhe vetë i vizitova në Sveti Nikollë. Sveti Nikolla është një komunë e cila prin sipas grave të sëmura nga karcinomi në gji. Pas atij takimi me Organizatën e Grave të Sveti Nikollës, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, derisa unë isha ministër, u mor vendimi në Qeveri për furnizim me mamograf“, thotë Selmani.

Ai shton se pas Sveti Nikollës, është marrë vendimi për furnizim me mamografe të tjera edhe të qendrave të tjera mjekësore në Maqedoni. Organizatës së Grave i takojnë meritat për furnizim me këto mamografe, jo vetëm në Sveti Nikollë, por edhe më gjerë.

Bashkëpunim të afërt me Organizatën e Grave nga Sveti Nikolla kanë nga organizata joqeveritare “Borka” - Shkup.

Kemi bashkëpunim konstant me Organizatën e Grave nga Sveti Nikolla në 10 vitet e fundit. Ato na mbështetin në organizimin e fushatës për ngritjen e vetëdijes për luftë kundër kancerit në gji ‘Përpara, rozike’“, thonë nga Borka.

A është kjo e mjaftueshme; megjithatë, jo. Maqedonia nuk ka regjistër të të sëmurëve nga kanceri, gjë që e ndërlikon luftën kundër kësaj sëmundjeje të ligë

Historiati i ujit në Sveti Nikollë

Historiati i përdorimit sistemor të ujit në Sveti Nikollë fillon në vitin 1965, kur është ndërtuar ujësjellësi i qytetit. Në atë periudhë qyteti shfrytëzon ujë nga puset.

  • Pas ndërtimit të pendës Mavrovica, në afërsi të Sveti Nikollës në vitin 1984, qyteti fillon të pijë ujë nga ky akumulacion.
  • Në 21 prill 2003 uji i këtij akumulacioni zyrtarisht shpallet me përdorim teknik dhe me ndalesë për t’u pirë.
  • Fillojnë mihjet e shpimeve në vendin Divlak, por ai ujë një kohë shumë të shkurtër ose asnjëherë nuk u shfrytëzua.
  • Në vitin 2009 fillon shfrytëzimi i ujit nga Hidrosistemi Zletovica si provë.
  • Në vitin 2012 fillon faturimi i ujit të njëjtë.

 

Storja është përgatitur në kuadër të projektit „Raportim për shoqërinë civile dhe ndikimin e saj ndaj ndryshimeve në shoqëri“, të cilin e zbaton Instituti Maqedonas për Media në partneritet me Qendrën për Gazetari Hulumtuese – SCOOP Maqedoni, me mbështetje financiare nga programi Civica Mobilitas.

2Civica Logo original Përmbajtja e storjes është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të llogaritet se i shpreh pikëpamjet e Civica Mobilitas-it, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ose organizatave që e zbatojnë.